TIRANË, 27 Shkurt/ATSH-Arbi Fortuzi/ – Një nga shkaqet kryesore që familje të ndryshme kanë përfituar nga skema e ndihmës ekonomike duke mos e merituar atë ka qenë për shkak të shmangies së taksave të pushtetit vendor si dhe një sërë lehtësirash të tjera.
Gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Adriana Jaku, bëri të ditur se në pesë ditë janë regjistruar 1000 intervista pune, nga persona të cilët janë shpallur jo fitues të ndihmës ekonomike.
Për rastet abuzive, Jaku nënvizoi se janë gjetur raste ku familje me disa makina janë kapur si pjesë e skemës. “Arsyet që ndodh kjo është fakti se këto familje përfitonin lehtësira tek pagesa energjisë elektrike, tek vaksinimi, tek bursat në shkollë, apo mënjanim nga taksa të pushtetit vendorë, apo kompensime apo lehtësira të tjera, të cila ata përfitonin nga subjektivizmi që i jepnin administratorët social në zonë”, tha Jaku.
Ri-integrimi në skemë:
“Si çdo sistem i ri, edhe sistemi i mbështetjes sociale i ndihmës ekonomike ka marzhin e tij të gabimit, që duhet theksuar se është minimalist. Përmes këtij sistemi shmanget abuziviteti njerëzor, si dhe favorizohen familjet më të varfra. Është një sistem i tëri i digjitalizuar dhe i projektuar për të fituar familjet në nevojë. Ajo që po ndodh këto dy muaj është se në janë krijuar tre lista, familje fituese dhe masa përkatëse e përfitimit nga skema. Familje të cilat janë refuzuar dhe që janë larguar nga skema dhe familje jo fituese. Për familjet jo fituese, ne sugjerojmë të ri-aplikojnë çdo fillim muaji nga data 1-10 të çdo muaji dhe brenda datës 20 të po atij muaji. Është e rëndësishme të kuptohet që ka rëndësi të madhe vetëdeklarimi pranë zyrës së administratorit shoqëror të njësisë administrative që ka vendbanimi, ta plotësojnë dhe ta firmosin atë. Ky vetëdeklarim hidhet në sistem nga Këshilli Bashkiak merret vendimi brenda datës 20 të atij muaji. Pas kësaj procedure, kemi dhe kontrollin që bëhet në terren, si për familjet që kanë fituar dhe për ato që nuk kanë fituar mbi vërtetësinë e formularit dhe më pas i lidhet ose jo përfitimi i ndihmës ekonomike me masën përkatëse”, tha Jaku.
Ajo bëri të ditur se ka dhe një mundësi të dytë për të përfituar ndihmë ekonomike. “Për të gjitha familjet që nuk u kualifikuan si fituese nga sistemi është fondi që Ministria e Shëndetësie për Mbrojtjen Sociale i ka kaluar bashkisë. Ky fond ka qenë 3% dhe sot është 6%. Në këtë rast Këshilli Bashkiak harton listën e familjeve që do mbështeten me këto fond. Kjo listë hartohet sipas kritereve që vendos vetë Këshilli Bashkiak dhe në sajë të një kontrolli në terren të vërtetësisë së deklarimit”, tha Jaku.
“Pavarësisht nga se çfarë diskutohet në media, ka dhe Bashki që përmes skemës së re që kanë pësuar rritje të numrit të familjeve përfituese krahasuar me dhjetorin e vitit 2017. Kështu janë Bashkia e Maliqit, Sarandës, Devollit e Divjakës”, vijoi zv. Ministrja Jaku.
Sipas saj, janë ngritur pune për të kontrolluar çdo rast ku sistemi mund të jetë gabuar. “Janë ngritur grupe pune në terren për të verifikuar çdo rast si për ato që kanë përfituar, ashtu dhe për ata që nuk kanë përfituar, për të parë vërtetësinë e deklaratave”, vijoi ajo.
Rastet e përfitimit të ndihmës ekonomike në mënyrë të padrejtë nga ana e qytetarëve, janë bërë publike edhe nga kreu i qeverisë Edi Rama, nëpërmjet statuseve të tij në rrjetin social “Facebook”./e.caushi/