BERLIN, 4 mars /ATSH-AFP/ – Anëtarët e partisë social-demokrate miratuan sot me shumicë votash një koalicion të ri me Angela Merkel duke hequr pengesën e fundit për formimin e një qeverie, sipas rezultateve zyrtare të njoftuara sot.
“Po”-ja fitoi me 66,02 % të votave dhe rreth 78,4 % nga 463 000 anëtarë të SPD-së morën pjesë në votim.
“Kam informuar presidentin, Frank-Walter Steinmeier dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel për këtë rezultat”, theksoi kreu i përkohshëm i SPD-së, Olaf Scholz.
Pa angazhimin e social-demokratëve formimi i një ekzekutivi të ri nën drejtimin e Angela Merkel ishte i pamundur.
Udhëheqja e partisë negocioi në muajin shkurt një marrëveshje me kancelaren dhe anëtarët e partisë më të vjetër të Gjermanisë duhet ta miratonin, në sfondin e ndarjeve të brendshme.
Drita e gjelbër nga baza e SPD-së i jep fund pesë muajve të pasigurisë post-zgjedhore të pazakontë në vend, në një kohë kur Europa, e goditur nga kriza e Brexit dhe rritja e nacionalizmave, ka më shumë se kurrë nevojë për një ekzekutiv solid në Gjermani.
Merkel do të zgjidhet zyrtarisht kancelare nga deputetët në mes të muajit mars dhe do të fillojë mandatin e katërt të saj./
/ec/